Abel Abah dhe Mahamadou Dembele janë dy lojtarët më të rinj të Tiranës. Si nigeriani, ashtu dhe francezi janë bashkuar me skuadrën e Bledi Shkëmbit e do të jenë pjesë e skuadrës që për ndeshjen e parë me Torpedo Kutaisi.
21-vjeçari Abel Abah vjen nga liga e dytë serbe, ku ka qenë pjesë e Metalac. Nigeriani ka luajtur 33 ndeshje, duke shënuar dhe 4 gola dhe te Tirana besojnë se mund të shtojë cilësinë në sulm.
Duke qenë një sulmues me moshë të re, mund të jetë një aset që në të ardhmen t’i sjellë skuadrës të ardhura financiare, nëse arrin të performojë si duhet me fanellën bardheblu.
Në anën tjetër, Mahamadou Dembele ka një karrierë më të pasur. 25-vjeçari është formuar si futbollist në akademinë e PSG-së, ndonëse ka luajtur vetëm me skuadrën e dytë të rekordmenëve francezë. Dembele luan si një mbrojtës, ndrësa vjen nga kampionati belg, ku ishte pjesë e e Seraing.
Tirana ka qenë mjaft aktive në këtë merkato, pasi ka ndryshuar pjesën më të madhe të organikës. Bardheblutë duan që fillimisht të kenë një aventurë sa më të gjatë në Europë, ndërsa sezonin e ardhshëm të garojnë për zonën e “Final4”.