Tajon Buchanan pësoi një dëmtim të rëndë në stërvitje me Kanadanë dhe do t’i nënshtrohet një operacion në pjesën e poshtme të gjurit, teksa koha e rikuperimit pritet të zgjasë të paktën 4-5 muaj, duke komplikuar jo pak planet e trajnerit Inzaghi.
Anësori kanadez ishte përdorur shpesh në krahun e majtë në vendin e Dimarcos, por nuk do të jetë në dispozicion të Inzaghit në pjesën e parë të sezonit, ndaj te Interi po punojnë për të gjetur një tjetër futbollist për ta zëvendësuar.
Emrat që qarkullojnë janë disa dhe të gjithë kanë të përbashkët faktin që do të vijnë me parametra zero, por ai që ndez jo pak fantazinë e tifozerisë zikaltër, është padyshim kroati Ivan Perishiq.
I larguar nga Interi dy vite më parë për të ndjekur pas Antonio Conten, Perisic nuk e ka fshehur asnjëherë dashurinë për ngjyrat zikaltër dhe është vet-ofruar për të qenë pjesë e skuadrës sezonin e ardhshëm.
Ndonëse me 35 vite mbi supe dhe i rikthyer pas një dëmtimi të rëndë, Perisic është një njohës i shkëlqyer i Serisë A dhe do të ishte një alternativë mjaft e mirë për Federico Dimarcon, në pritje të rikuperimit të Buchanan.
Alternativa të tjera që po shqyrtohen nga Marotta dhe Ausilio janë Marcos Alonso dhe Layvin Kurzawa, të dy me parametra zero, teksa vendimi do të merret në ditët e ardhshme, në konsultim edhe me trajnerin Inzaghi.