Partizani i ka dhënë fund fazës përgatitore në Pogradec dhe tashmë ka nisur përgatitjet e fundit para sfidës së parë me Marsaxlokk, e vlefshme për turin e parë të Conference League.
Demat kanë zhvilluar disa ndeshje miqësore në juglindje të vendit dhe trajneri Orges Shehi është i kënaqur me gjendjen e skuadrës së tij. Në një prononcim për faqen e klubit, numri një i pankinës së të kuqve tregon se skuadra është gati për takimin e parë, që “demat” do e luajnë në kryeqytet.
“Jemi të kënaqur me atë që skuadra ka marrë dhe ka dhënë, sepse në fazë përgatitore dihet që lojtarët duhet të marrin ngarkesën e duhur e të arrijnë formën e duhur. Besoj se jemi gati për ndeshjen që do luajmë në Tiranë.
Faza përgjithësisht ka shkuar mirë. Lojtarët nuk kanë asnjë dëmtim. Kushtet kanë qenë shumë të mira. Kemi qëndruar 16-17 ditë dhe skuadra ka bërë maksimumin për t’u përgatitur për ndeshjet e Europës”.
Verën e shkuar, Partizani shkoi deri në play-off të Conference Legaue, ndërsa këtë sezon qëllimi i skuadrës së kuqe është që të arrijë fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Të besuarit e Orges Shehit do kërkojnë që të marrin një rezultat sa më pozitiv në ndeshjen e parë përballë Marsaxlokk më 11 korrik , që pas një jave në Maltë të mos e vënë në dyshim kualifikimin për më të.