E ardhmja te Juventusi nuk duket e sigurt për brazilianin Gleison Bremer.
Nga grumbullimi me përfaqësuesen, ku po luan në Kupën e Amerikës, mbrojtësi i bardhezinjve ka komentuar edhe interesin që ka në drejtim të tij nga shumë klube të mëdha europiane.
“Jam shumë i lumtur që skuadra të mëdha interesohen për mua, pasi është një konfirmim për punën që po bëj.
Megjithatë për momentin jam i përqendruar te Kupa e Amerikës.
Vetëm pas përfundimit të saj do të flas me agjentin tim, për të vendosur për të ardhmen”, u shpreh Bremer, duke lënë të hapur mundësinë e largimit nga Juventusi.
Mbrojtësi brazilian u transferua te bardhezinjtë verën e 2022-shit pikërisht nga rivalët e qytetit, Torino, për një shifër prej më shumë se 40 milionë eurosh dhe në dy sezone ka qenë titullar i padiskutueshëm i formacionit të Allegrit.
Për Bremer kanë shfaqur interes konkret klube të Premier Leagues si Manchester United dhe Chelsea, që e shohin si futbollistin e duhur për të përforcuar prapavijën.