Filip Najdovski është rikthyer te Vardari. Pas disa viteve të kaluara në kampionatin shqiptar, Najdovski dje ka rënë dakord me klubin me më shumë trofe në Maqedoninë e Veriut, duke nënshkruar kontratë 4- vjeçare.
Ai nuk e pranoi ofertën për kontratë të re me skuadrën e Tiranës, pasi mori një ofertë nga projekti i ri që lidhet me “kuqezinjtë” e Shkupit. Najdovski ishte në Vardar për dy sezone, pasi erdhi nga skuadra e Pobedës në vitin 2018. Në karrierën e deritanishme, Najdovski ka 178 ndeshje në PMFL.
“Është nder dhe privilegj që pas katër vitesh të luaj sërish për Vardarin. Unë besoj në këtë projekt dhe kjo është arsyeja pse jam këtu. Oferta nga Vardari nuk refuzohet. Kjo është shtëpia ime e dytë. Dëshiroj që Vardari të kthehet në vendin ku i takon.
Në majën e futbollit maqedonas dhe sigurisht edhe në Europë”, ka thënë lojtari më i ri i Vardarit. Prapaskenat – Tej fjalëve, Filip Najdovski braktisi Tiranën, edhe pse doli një ditë në stërvitje dhe për dy ditë me radhë diskutoi me bardheblutë.
Mbrojtësi kërkoi me ngulm që të ishte kapiteni i skuadrës edhe pse shiriti ishte i Përgjonit. Drejtuesit ia plotësuan dëshirën. Çuditërisht lojtari në momentin e fundit, edhe pse ishte kënaqur edhe nga ana financiare nuk pranoi të firmoste me Tiranën, duke çuditur të gjithë te bardheblutë.