Pritet miratimi i sulmuesit

Futboll

Pritet miratimi i sulmuesit

Më: 6 korrik 2024 Në ora: 23:35
Federico Chiesa

Federico Chiesa është gjithnjë e më larg Juventusit. Kontrata e sulmuesit anësor me bardhezinjtë skadon në verën e 2025-ës dhe pavarësisht tentativave, drejtori sportiv torinez Giuntoli e agjenti i Chiesës, Fali Ramadani, nuk kanë arritur akordin për zgjatjen e bashkëpunimit.

Në këto kushte, drejtuesit e Juventusit kanë vendosur ta shesin sulmuesin këtë verë, për të mos e humbur me parametra zero, teksa media italiane bën me dije edhe për një akord paraprak me Romën për shifrën e 20 milionë eurove.

De Rossi nuk e ka fshehur dëshirën për të marrë Chiesën nën urdhrat e tij dhe drejtuesit e Romës duan ta kënaqin, por tashëm topi është në këmbët e futbollistit, që do të duhet të gjejë marrëveshjen me verdhekuqtë.

Problem mbetet paga e lartë e Chiesës, që nuk dëshiron të sakrifikojë asnjë cent nga paga e tij aktuale te Juventusi, ndërsa Roma nga krahu tjetër nuk i ofron dot më shumë se 5 milionë euro në sezon, plus bonuset.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat