A duhet të marrë pjesë Kosova në EURO U-21 që mund të organizohet nga Shqipëria e Serbia?

Futboll

A duhet të marrë pjesë Kosova në EURO U-21 që mund të organizohet nga Shqipëria e Serbia?

Më: 7 korrik 2024 Në ora: 12:01
Ilustrim

Njohësit e futbollit dhe rrethanave sportive në Kosovë e vlerësojnë të ngutshëm dhe të panevojshëm kandidimin e përbashkët ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë për ta organizuar evropianin e futbollit për grup-moshat U21 në vitin 2027.

Gazetari dhe njohësi i rrethanave sportive, Lulzim Shala ka thënë se historia e dhimbshme e Kosovës është ende e freskët dhe se bashkëpunimi i Shqipërisë me Serbinë është shumë i ngutshëm.

Shala: Plagët janë të freskëta, bashkëpunimi me Serbinë i panevojshëm

“Ne i kemi varret e freskëta nga vrasjet, dëbimet, dhunimet që kanë ndodhur në Kosovë, është histori e freskët dhe konsideroj që nuk është dashur të ngutemi në atë drejtim që ta organizojmë një kampionat siç është U21 me Serbinë. Ana tjetër negative është që kjo nuk është bërë në marrëveshje me Federatën e Futbollit të Kosovës dhe me institucionet e Kosovës”, ka thënë Shala.

Por përtej historisë, trajneri Agron Selmani ka thënë, se Kosova nuk duhet të abstenojë nga asnjë garë evropiane pa marrë parasysh rrethanave.

Selmani: Kosova nuk duhet të abstenojë nga garat evropiane në asnjë rrethanë

“Inkuadrimi i Kosovës në shtëpinë e madhe të FIFA-së dhe UEFA-s, domosdo që nënkupton edhe takimet e drejtpërdrejta në rastin konkret me reprezentacionin e Serbisë dhe Kosova, nuk ka se çfarë të turpërohet dhe Kosova në kushte të barabarta, nuk duhet të abstenoj prej garave pavarësisht rrethanave, por në kushte jo të barabarta, aty ku cenohet dinjiteti ynë, ekzistenca jonë, aty ku trajtohemi si qytetarë të rendit të dytë, jo të barabartë, atëherë aty duhet të tregojmë dinjitet”, ka thënë Selmani.

Megjithatë, Shala hedh dyshime mbi atë se çfarë rrjedhe do të merrte një rast hipotetik ku Kosova mund të ballafaqohej me Serbinë direkt në fushën e lojës.

Shala: Evropa ka interes në bashkëpunimin Shqipëri-Serbi

“Evropa e ka interesin e vet që të bëhet një bashkëpunim i tillë që të qetësohen gjakrat ndërmjet popullit shqiptar dhe serb, por e thash më herët që nga ana e Kosovës kjo është negative...Nëse Kosova kualifikohet në këtë evropian edhe po supozojmë që Kosova do t’i zhvillojë ndeshjet ndoshta në Serbi, si do të pritet në Serbi?...Është një rrezikshmëri shumë e lartë, andaj konsiderojë se është një veprim i ngutshëm, i pamenduar mirë nga ana e Shqipërisë”, shtoi Shala.

Ndryshe nga Kosova, gazetari shqiptar, Erjon Halili konsideron se ky nuk është një bashkëpunim i mirëfilltë ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë.

Halili: Nuk është bashkëpunim i mirëfilltë mes Shqipërisë dhe Serbisë

“Unë do të preferoja më shumë si një vënie në dispozicion e stadiumeve, nuk është se është një bashkëpunim i mirëfilltë më shumë se sa Shqipëria ofron ato katër stadiumet e veta, Serbia të vetat, por do të organizohet një event madhor”, ka thënë Halili.

Ndryshe, në fillim të muajit qershor, Federata Shqiptare e Futbollit bëri të ditur se bashkë me Federatën e Futbollit të Serbisë kanë paraqitur në UEFA kandidaturën për organizimin e Kampionatin Evropian të Futbollit për grup-moshat U21 që do të zhvillohet në vitin 2024.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat