Edlir Tetova, trajneri i Egnatia së Rrogozhinës, kampion i Shqipërisë, ka folur para ndeshjes me ekipin serb, Borcin e Banjallukës , në kuadër të ndeshjes së parë kualifikuese të Champions League në futboll.
Ai ka folur për “Mondo” për sfidën e parë e cila luhet të mërkurën (10 korrik) në stadiumin e qytetit të Banjallukës.
“Kampioni i këtij vendi është relativisht i panjohur për publikun tonë sportiv”, shkruan mes të tjera “Mondo”.
“Është hera jonë e parë që luajmë në kualifikueset e Champions League dhe do të bëjmë më të mirën.
Dëshira ime ishte që ndeshja e parë të luhej në Elbasan, por edhe kështu është mirë, nuk do të jetë problem për ne.
E kam parë Borcin në ndeshjen paraprake. Ajo që i dallon është se këmbëngulin për posedim, e mbajnë topin për një kohë të gjatë dhe presin momentin e duhur për të sulmuar.
Nuk mund të flas për gjëra të këqija”, tha Tetova.
Trajneri i kampionit shqiptar ka komentuar edhe vendimin e UEFA-s për ndalimin e tifozëve udhëtues në të dyja ndeshjet.
Siç thotë ai, nuk e kupton një vendim të tillë dhe është i vetëdijshëm se tifozët e të dyja skuadrave kanë dashur të jenë në tribunë.
“Nuk e kuptoj pse, por e di që të gjithë tifozët e Borcit apo Egnatias donin ta shikonin ndeshjen nga tribuna dhe ta shijonin lojën. Si mund të vijnë tifozët dhe t'u thonë fëmijëve të tyre se skuadra e tyre po luan në Champions League këtë vit, por për një arsye ose tjetrën, ata nuk janë aty. Shpresoj që fansat e Egnatias dhe Borcit ta shijojnë”, ka thënë Tetova.
Kujtojmë se ndeshja e parë mes Borcit dhe Egnatias do të luhet të mërkurën (10 korrik) në orën 21:00, ndërsa e kthimit shtatë ditë më vonë në ‘Elbasan Arena.