Eriksson sfidon kancerin

Futboll

Eriksson sfidon kancerin

Më: 9 korrik 2024 Në ora: 18:02
Sven-Goran Eriksson

Sven-Goran Eriksson është i sëmurë me kancer pankreatik. Janarin e kaluar, kur fliste për sëmundjen, ai bëri të ditur se maksimumi do të jetonte edhe një vit. Guximi për t’u hapur me botën i ktheu atij një valë dashurie të sinqertë, që ka shënjuar këto muaj.

Bota e futbollit u mblodh rreth ish-trajnerit suedez. Në “Anfield Road”, tempulli i Liverpool-it, ai mori një nderim sa të paharrueshëm, aq edhe unik. Ish-futbollistë që e kanë ndjekur në eksperiencat e tij në pankinë si David Beckham dhe Roberto Mancini i kanë qëndruar pranë, sidomos tani.

Ish-lojtari i Manchester United ishte gjithashtu në shtëpinë e tij për të kaluar pak kohë së bashku. Bashkë pinë një verë të mirë, me shije të veçantë. “Ishte verë nga viti 1948, viti kur linda unë. Ai ishte shumë i sjellshëm dhe delikat”, – tha Eriksson.

Suedezi tregon se si Roberto Mancini ishte personi me të cilin mbajti më shumë kontakte, që kur gjendja e tij shëndetësore u bë publike: “Roberto është kontakti më i shpeshtë që kam pasur. Ai ishte kapiteni i ekipit tim për 9 vite”.

Vetëdija me të cilën Eriksson po përballet me situatën e tij më të rëndë të thyen zemrën. Nuk bëhet fjalë për të qenë luftëtarë, heronj apo ndonjë term tjetër që nxit emocionet, por thjesht një njeri përballë fatit të vet, me të gjitha pikat e forta dhe të dobëta.

Sepse jeta është kështu, në të mirë e në të keq. Nuk troket në derë, nuk kërkon leje, por hyn dhe e kthen çdo gjë përmbys. Edhe sa kohë i ka mbetur për të jetuar?

“Nëse i pyes mjekët se sa kohë më ka mbetur, ata nuk mund të përgjigjen, – shkruan suedezi në rubrikën e tij për “The Telegraph”. – A më shqetëson kjo? Mendoj se është më mirë të mos e di. Disa mëngjese zgjohem duke u ndjerë mirë. Mëngjeset e tjera jo, është problem, por unë jam ende këtu”.

Eriksson shpjegon edhe atë që ka ndjerë deri më tani: “Kam udhëtuar në të gjithë Suedinë, kam qenë në Angli, Itali dhe Portugali. Shpesh jam përlotur nga dashamirësia e njerëzve. Zakonisht e kupton se të gjithë flasin mire për një person, pasi ka vdekur. Në rastin tim, jam me fat që e bëjmë këtë sa jam ende gjallë”.

Ai u ndje i gjallë kur tifozët e “Reds” u ngritën në “Anfield” për t’i kushtuar një shfaqje të jashtëzakonshme dashurie: “Kur 60.000 njerëz në një stadium këndojnë emrin tënd, nëse kjo nuk të jep tronditje, atëherë asgjë nuk do të të bëjë kurrë emocional”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat