Zhgënjim i madh në Brazil. Sepse kur Seleçao vuan, në tokën e futbollit shuhen pasioni, buzëqeshja dhe ëndrrat.
Kombëtarja latine vazhdon të trishtojë tifozët e zjarrtë në mënyrë sistematike gjatë viteve të fundit.
Në Kupën e Amerikës 2024, rrugëtimi u mbyll në çerekfinale kundër Uruguait.
Me dy herë kampionët e botës që u kualifikuan falë penalltive. Vinicius Jr, i cili mungoi në atë përballje si pasojë e plotësimit të numrit të kartonëve të verdhë, u ka kërkuar falje tifozëve.
“Kupa e Amerikës mbaroi dhe është koha për të reflektuar, për të ditur si të përballesh me humbjen. Ndjenja e zhgënjimit vetëm shtohet, pasi dështuam përsëri nga pika e bardhë e penalltive.
Nuk arrita të shmangia dy kartonë të verdhë plotësisht të evitueshëm. E pashë sërish eliminimin e Brazilit nga jashtë fushës, por këtë herë e kam unë fajin… Më vjen keq, ndjesë të gjithëve.
Unë jam një person që i dëgjoj kritikat, edhe ato më të ashprat. Më besoni: më vjen shumë turp nga vetja. Fatmirësisht, rrugëtimi im me Kombëtaren sapo ka nisur.
Së bashku me shokët e skuadrës do të kemi mundësinë të rikthejmë Brazilin aty ku e meriton. DO TË RIKTHEHEMI NË MAJË!”, shkruan në rrjetet sociale sulmuesi i Realit të Madridit.