Erik ten Hag është gati të hapë një cikël fitues te Manchester United. Tekniku holandez rinovoi me “Djajtë e Kuq” deri në 2026.
Ten Hag mban postin e trajnerit të skuadrës me më shumë tifozë në planet prej verës së vitit 2022.
Gjatë këtyre dy sezoneve, ish-trajneri i Ajaxit ka udhëhequr United drejt fitimit të EFL Cup (2023) dhe FA Cup (2024).
Dhe është optimist për të ardhmen, duke theksuar se djemtë e tij do të garojnë për arritjen e sukseseve të tjera.
“Jam tek United për të fituar trofe. Kemi ngritur në qiell dy kupa deri tani pas një periudhe prej 6 vitesh pa triumfe, kështu që jemi në rrugën e duhur.
E ardhmja është e kuqe. Nuk do të rinovoja nëse nuk do të kisha besim në fitimin e trofeve të tjerë”, shprehet 54-vjeçari.
Objektivi i madh është rrëzimi i Manchester Cityt nga froni dhe rikthimi te titulli kampion, trofe që në “Old Trafford” mungon prej sezonit 2012/2013.
Edicion gjatë së cilit skuadra e drejtuar nga legjenda Sir Alex Ferguson fitonte Premier Leaguen për herë të 20-të në histori.