Yamal “parakalon” legjendën

Futboll

Yamal “parakalon” legjendën

Më: 10 korrik 2024 Në ora: 12:28
Pamje nga ndeshja

Lamine Yamal në historinë e futbollit! Adoleshenti i talentuar spanjoll realizoi një eurogol në gjysmëfinalen e fituar me përmbysje 2-1 përballë Francës.

Duke u bërë jo vetëm golashënuesi më i ri që shënon në Europian.

Por edhe më i riu (16 vjeç e 362 ditë) që luan në një gjysmëfinale Europiani apo Botërori, duke “parakaluar” një legjendë si braziliani Pele. I cili ishte vetëm 17 vjeç e 244 ditë kur zbriti në fushë në gjysmëfinalen e Kupës së Botës Suedi 1958.

Sfidë që Seleçao e fituan 5-2 kundër Francës, për të përsëritur më pas të njëjtin rezultat në triumfin përballë Suedisë në finalen e madhe. Me brazilianin e papërsëritshëm që ndëshkonte tri herë francezët dhe dy herë vendasit.

Po ndaj “Gjelave” erdhi edhe rekordi i “yllit” të Barcelonës. Lamine Yamal ndodhet në ëndërr dhe tashmë nevojitet një sforco e fundit të dielën e 14 korrikut në Berlin për ta kthyer në kryevepër këtë moment magjik.

Ndërkohë, Jesus Navas, i cili zhvilloi një ndeshje të madhe pavarësisht shumë viteve mbi supe, u bë gjysmëfinalisti më i vjetër në një Europian apo Botëror. Mbrojtësi i djathtë, i cili kundër Mbappesë nuk e ndjeu aspak peshën e moshës, feston 39-vjetorin në datën 21 nëntor.

Gjithashtu ai u bë spanjolli i parë dhe i vetëm në histori që do të luajë finalen e katërt me kombëtaren iberike!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat