Pas mesfushorit Piotër Zielinski, dje Interi pati mundësinë që të zyrtarizojë edhe dy goditje të tjera, duke vazhduar përmirësimin dhe rinovimin e grupit. I pari që nënshkroi, siç ishte paralajmëruar, ishte portieri i ardhur nga Xhenoa, Josep Martinez.
Portieri 26-vjeçar do të jetë krahu i djathtë i titullarit veteran, Jan Zomer, ndonëse duke parë faturën prej 13.5 milionë eurosh, plus 2 milionë bonuse, sigurisht që bëhet fjalë për një investim të rëndësishëm për të ardhmen. Martinez jo vetëm kaloi vizitat, por edhe firmosi kontratën e tij:
“Të qenit tek Interi është një motiv krenarie për mua dhe pa dyshim që jam shumë i lumtur.
Mendoj se për mua ky është hapi i madh i karrierës dhe dua që ta shfrytëzoj në maksimum këtë shans”, tha portieri.
Ndërkohë, në Milano dje u pa edhe përforcimi i rëndësishëm në sulm. Mehdi Taremi, sulmuesi 32-vjeçar i ardhur me parametër zero nga Porto, i cili kishte gjetur akordin dhe gjithçka tjetër me Interin që në janar, do të nënshkruajë për 2 sezone, ndonëse pas vizitave mjekësore që kreu në janar të këtij viti, do t’i nënshtrohet të tjera testeve, të spostuara nga dje për të premten, ndonëse arsyet e këtij vendimi nuk dihen ende nga ana e drejtuesve zikaltër.