Shabani: Na vjen keq për këtë disfatë

Futboll

Shabani: Na vjen keq për këtë disfatë

Më: 11 korrik 2024 Në ora: 12:10
Bunjamin Shabani

Disfatë 4:2 në ndeshjen e parë të turit të parë eliminatorë të Ligës së Kampionëve në transfertë kundër kampionëve sllovak të Sllovan Bratisllava, ndoshta nuk ishte pasqyra më e mirë, nga gjithë ajo që ndodhi në fushën e blertë, aty ku në disa momente Struga Trim Lum ishte madje edhe kundërshtarë më i mirë.

Një gjë e tillë mund të thuhet sidomos për pjesën e dytë, kur edhe struganët arritën të barazojnë shifrat, pavarësisht disavantazhit 2:0 gjatë 45 minutave të para.

Megjithatë disa pakujdesi në mbrojtje, bënë që në fund skuadra kampione e vendit tonë të pësoj disfatë, mirëpo që kapiteni Bunjamin Shabani, është i bindur se në Ohër skuadra e tij do të paraqitet edhe më mirë.

“Na vjen keq për këtë disfatë, pasi vërtetë treguam një lojë të mirë, sidomos në pjesën e dytë, kur edhe e kthyem rezultatin, dhe kur menduam se do të arrijmë një barazim, ndoshta edhe siç theksoi edhe trajneri, disa momente pakujdesie i pranuam dy gola.

Megjithatë mendoj se nga kjo kemi mësuar shumë dhe besoj se në ndeshjen e kthimit do të bëjmë edhe më mirë” – u shpreh kapiteni Bunjamin Shabani, i cili sonte zhvilloi ndeshjen e tij të 11-të me fanellën e Struga Trim Lum në kuadër të ndeshjeve europiane dhe të tretën vetëm në kuadër të eliminatoreve të Ligës së Kampionëve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat