Khephren Thuram është përforcimi i tretë i Juventusit, që pas Douglas Luiz dhe portierit Di Gregorio zyrtarizoi edhe mesfushorin francez, djali i të mirënjohurit Lilian Thuram, i cili kaloi 5 vite fantastike te bardhezinjtë italianë.
Për po aq vite ka firmosur me “Zonjën” edhe Khephren, i cili ka realizuar një ëndërr të kahershme. 20 mln euro do të përfitojnë francezët e Nices nga ky operacion (+5 mln të tjera në formë bonusesh).
Në një rrëfim për kanalin zyrtar të klubit, 23-vjeçari i lindur në Reggio Emilia tha fjalët e para si juventin. Në Serie A do të përjetojë edhe një derbi në familje. Kundër vëllait Marcus, sulmuesi i kampionëve të Interit.
“Është shumë bukur të jesh këtu, ëndërroja që i vogël të vija një ditë te Juventusi. Jam shumë i emocionuar. E mbaj mend mirë kur babai im luante në ‘Delle Alpi’.
Mbaj mend edhe Ibrahimovic, një futbollist i madh për mua. Zlatan ishte më i miri në botë kur isha i vogël. Më kujtohen edhe momentet me vëllanë, shkonim në shkollë së bashku.
Çfarë më tha babai për Juventusin? Që është klubi më i madh në Itali dhe një nga klubet më të mëdha në botë. Gjithashtu më tha se kur je pjesë e Juves luan gjithmonë për të fituar”.
Nuk mungon një koment për karakteristikat e tij, me Kehphren që është një mesfushor modern që bën mirë të dy fazat e lojës.
“Sigurisht që nuk mund të refuzosh kur të kërkon Juventusi.
Unë jam një mesfushor që më pëlqen të mbroj, por edhe të marr topin e të nisem përpara në sulm. Më pëlqen të zbres në fushë me shokët e mi për të fituar”.