Shkupi arrin akordin me ish futbollistin e Shkëndijës dhe Vllaznisë

Futboll

Shkupi arrin akordin me ish futbollistin e Shkëndijës dhe Vllaznisë

Më: 11 korrik 2024 Në ora: 23:27
Shkupi

FC Shkupi, që përgatitjet për sezonin e ri 2024/25 i ka vazhduar në Turqi, ka filluar të mendoj tashmë edhe rreth ndërtimit të skuadrës.

Pas shumë largimeve, kjo skuadër tashmë ka filluar të bëjë edhe përforcimet e para, teksa siç shkruaan “infOSport.mk”, skuadra nga Çairi ka arritur akordin me mbrojtësin e krahut të majtë, Xhelil Asani.

Bëhet fjalë për një futbollistë 28-vjeçar, i cili dy vitet e fundit ka luajtur në Superligën shqiptare, derisa në futbollin vendor rikthehet pas 6 viteve e gjysmë, kur për herë të fundit kishte mbajtur veshur fanellën e Shkëndijës.

Ndryshe, Asani karrierën futbollistike e kishte nisur në vendlindjen e tij, te skuadra e Vëllazërimit nga Kërçova, për të luajtur më pas edhe me Metalurgun, ndërkohë skuadra e tij e parë jashtë kufijve të Maqedonisë, kishte qenë Bylisi nga Ballshi i Shqipërisë.

Karriera e tij kishte vijuar të zhvillohet jashtë vendit, duke luajtur në Malta, Bjellorusi, Uzbekistan, Bosnje e Hercegovinë, Rusi si dhe Amerikën e largët, pasi i njëjti posedon edhe pasaportë amerikane.

Tashmë Asani sërish rikthehet të luaj në vendin e të parëve të tij, mirëpo këtë herë me fanellën e FC Shkupit, me të cilën skuadër siç mësojmë, ka firmosur kontratë një vjeçare, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër.

Kujtojmë, pjesë e FC Shkupit në sezonin e ri do të jetë edhe Numan Ajetoviç, një ish junior i Vardarit, që së fundmi luante me Novacin në Ligën e Dytë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat