Ish futbollisti dhe ish selektori i kombëtares së Kosovës U-15, Gazmend Haliti, aktualisht trajner i FC Kick in nga Prishtina, tha se puna që po bëhet në klub është jashtëzakonisht e madhe, me pretendime që të shënojnë suksese të lakmueshme.
Haliti ka folur edhe për Kampionatin Evropian, Xherdan Shaqirin, ndeshjet e para në garat evropiane për klubet nga Kosova, si Ballkani, Malisheva dhe Llapi.
Po ashtu tregon si e pa Shqipërinë dhe Zvicrën në Euro 2024.
”Bota sot”: Si shkon ecuria e punës me shkollën e futbollit “Kick in?
Gazmend Haliti: Viti i tretë i themelimit të klubit Kick In, nga ky vit edhe zyrtarisht jemi të licencuar dhe pjesëmarrës në garat vendore si dhe ndërkombëtare ku u përballem me ekipe të nivelit të lartë si Juventus, Stoke City, Deportivo La Coruna, Servete, Sion, Aarau, Cluj etj. FC Kick in kishte rezultate te shkëlqyeshme dhe paraqitje dinjitoze, në vitin 2022 arritëm deri në finale në Meyrin Cup, si dhe në vitin 2024 me grupmoshën U13 në Aigle Tournament në Zvicër fitues të Conferece League dhe më shumë suksese prezantuam futbollin e Kosovës.
“Bota sot”: Mund t’i veçoni disa talente?
Gazmend Haliti: Kosova ka shumë talente, nuk kisha dashur të përmendi emra, edhe FC Kick in ka talente të shumtë të cilëve do të mundohemi t’u krijojmë kushte, përmirësim të infrastrukturës, dhe me punë dhe pjesëmarrje në gara vendore dhe ndërkombëtare t’i zhvillojmë, sepse vetëm me punë munden të zhvillohen si futbollist.
”Bota sot”: Cilat janë synimet më këtë shkollë?
Gazmend Haliti: Kemi projektin për infrastrukturë me dy fusha me standarde të UEFA-s, fushë të mbyllur, objektet përcjellese, të cilin planifikojmë ta përfundojmë në vitin 2025, nëse gjithçka shkon sipas planit. FC Kick in shumë shpejtë do të ketë Akademinë e futbollit me infrastrukturë moderne, dhe unë do të jem shumë i lumtur që do ta drejtojë këtë Akademi, që të gjithë talentet që do të jenë pjesë e FC Kick in do të kenë kushte profesionale për punë.
”Bota sot”: Si e sheh futbollin e Kosovës në përgjithësi?
Gazmend Haliti: Futbollit të Kosovës i mungon infrastruktura, shteti ka bërë shumë pak për futbollin, nuk ka investuar në infrastrukturë mendoj në fusha ndihmëse për zhvillimin e talenteve, mungon programi i zhvillimit të talenteve duke filluar nga federata, klubet dhe shumë talente shuhen sepse nuk u jepet hapësirë të tregojnë talentin e tyre në ekipet profesionale.
Sa i përket ekipeve seniore mendoj se ka ngritje sepse edhe kjo u dëshmua me rezultatet e Ballkanit në garat ndërkombëtare, por prapë nevojitet shumë punë që të ngritet cilësia dhe klubet të jenë në nivel të klubeve evropiane.
”Bota sot”: Ballkani e Malisheva startuan me fitore por jo edhe Llapi në garat evropiane. Si i sheh ndeshjet e para?
Gazmend Haliti: Rezultatet e Ballkanit dhe Malishevës në ndeshjen e parë na bëjnë që të shpresojmë për rezultate të mira edhe në ndeshjen e dytë dhe kalim tutje, sa i përket Llapit mendoj se kishte paraqitje mjaft të mirë edhe pse humbi, por edhe përkundër rezultatit jo të favorshëm në ndeshjen e parë, mendoj dhe shpresoj për paraqitje të suksesshme në ndeshjen e kthimit.
”Bota sot”: Si e keni pa Shqipërinë dhe Zvicrën në Kampionatin Evropian?
Gazmend Haliti: Shqipëria duke ditur se përballë kishte kombëtare të fuqishme si Italia, Kroacia, Spanja, u paraqit shumë mirë në këtë Kampionat Evropian, të gjithë e vlerësuan Kombëtaren e Shqipërisë në nivel të lartë, kundërshtarët ishin në nivel të lartë dhe me këtë paraqitje Shqipëria dëshmoi se mundet të përballet me shumë suksese me çdo kombëtare.
Sa i përket Zvicrës në ekip kishte një futbollist si Xhaka, lider dhe motivues për ekipin, Zvicra tregoi shumë cilësi në këtë kampionat.
”Bota sot”: A gaboi Murat Yakin që nuk e futi Xherdan Shaqirin nga minuta e parë në duel me Anglinë?
Gazmend Haliti: Mendoj se rezultatet e Yakin dhe paraqitja e Zvicrës ishin te shkëlqyeshme, nuk mendoj se gaboi të fus në lojë nga minuta e parë por mendoj se u vonua me ndërrimin e tij, Shaqiri ishte dashur të luaj se paku 30 minuta në atë ndeshje, ky është mendim i imi.
"Bota sot": Çfarë e veçojë Euro 2024?
Gazmend Haliti: Kampionati evropian 2024 në Gjermani ka sjellë atmosferë euforike dhe rivalitet të madh në mes ekipesh të ndryshme. Shumë ndeshje emocionuese, talente të shumtë dhe momente të mahnitshme në fushë. Gjermania me përvojë dhe infrastrukturë moderne organizoi shkëlqyeshëm këtë ngjarje, që ka sjellë gëzim dhe emocion për të gjithë dashamirësit e futbollit.
Shumë cilësi dhe mendoj Spanja me meritë e arriti finalen të cilën edhe e shoh favorit në finale, por përball ka një kundërshtar shumë të papërshtashëm si Anglia, do të jetë një ndeshje shumë interesante.