Marcelo Bielsa nuk u përmbajt aspak në konferencën për shtypin përpara duelit me Kanadanë, i vlefshëm për vendin e tretë dhe të katërt në Kupën e Amerikës.
Tekniku i Uruguait komentoi skenat e turpshme që ndodhën pas sulmit të tifozëve kolumbiane ndaj atyre uruguaianë, mes të cilëve ishin edhe familjet e disa prej futbollistëve të tij.
“El Loco” u doli në mbrojtje djemve të tij, sidomos Darwin Nunezit, me sulmuesin e Liverpoolit që u bë pjesë e grushteve për të mbrojtur të dashurit e tij.
“U sulmuan nëna me fëmijë në krahë. Duhet të më pyesni nëse lojtarët e mi kanë marrë kërkesa për falje nga ata që duhej të mbronin sigurinë e tifozëve.
Si mund të mos mbrosh nënën tënde, motrën apo fëmijën tënd? Si të mos i mbrosh kur dështojnë ata që duhet ta bëjnë këtë gjë?
Nuk duhen dënuar lojtarët, por ata që i detyruan të vepronin ashtu siç vepruan”, thekson tekniku argjentinas, i cili ka një mesazh të drejtpërdrejtë për CONMEBOL ((Konfederata e Futbollit të Amerikës së Jugut).
“Kërkojuni ndjesë lojtarëve dhe familjarëve të tyre! E vetmja gjë që duhet të thoni është: ‘Gabuam, bëmë gabime dhe duhet të marrim përsipër përgjegjësitë’.
Shpreheshin se fushat janë perfekte, gënjeshtra të mëdha… Një tufë gënjeshtarësh!”, u shpreh trajneri i Uruguait.
Skuadër që u eliminua në gjysmëfinale të kompeticionit pas humbjes 1-0 kundër Kolumbisë. Me këtë të fundit që do të sfidojë Argjentinën në finalen e madhe të 15 korrikut (02:00).