A do të jetë në gjendje Barcelona të nënshkruajë me Nico Williams, pas një Kampionati Europian mbresëlënës në vijën e sulmit të Spanjës? Javier Tebas, presidenti i La Liga-s foli për të sqaruar situatën ekonomiko-financiare të klubit katalanas në një intervistë për gazetën “SPORT”:
“Nëse arrin rregullin 1:1, do të jetë në gjendje ta bëjë këtë. Me përpjekjen e Barcelonës për ta ulur faturën e pagave me mbi 200 milionë euro mund ta kontraktojë në mënyrë perfekte një lojtar si Nico Williams”.
Presidenti i La Liga-s është tërhequr nga deklaratat e tij të mëparshme në lidhje me vështirësitë buxhetore të Blaugranëve: “Unë u kritikova shumë nga Barcelona kur thashë në atë kohë se klubi do të kishte vështirësi të arrinte këtë situatë dhe të ishte në gjendje të nënshkruante.
Tani them se situata ka ndryshuar. Në momentin që Barcelona është më afër arritjes së rregullit 1:1 me uljen e pagave dhe strukturën e klubit, si dhe disa lëvizje të tjera, shanset të pasur më shumë liri veprimi në merkato rriten.
Skenari 1:1 duhet të realizohet. Sot për sot nuk e ka këtë komoditet, por është më afër. Nëse e bën, Barcelona mund të nënshkruajë me Nico Williams ose një lojtar tjetër me ato karakteristika”.
Kufizimi i vendosur nga La Liga është i pakapërcyeshëm në planin e “fair play financiar”, siç shpjegohet nga Tebas: “Nuk është se një ditë zgjohem dhe dua që Barcelona të jetë 1:1 ose më pak. Nuk është kështu, duhet të mbrojmë ekonominë e klubeve. Te Barça duhet të kalojnë disa vite për ta përmirësuar gjendjen e saj ekonomike”.