Spanja shkarkon presidentin e Federatës dy ditë pas fitores së Euro 2024

Futboll

Spanja shkarkon presidentin e Federatës dy ditë pas fitores së Euro 2024

Më: 16 korrik 2024 Në ora: 18:15
Maria Angeles García Çaves

Gjykata Administrative në Spanjë ka konfirmuar sot vendimin për të deklaruar Pedro Roça fajtor për shkeljet në detyrën e tij dhe pezullimin me dy vite nga të gjitha postet në administrimin sportiv.

Vendimi ka ardhur dy ditë pasi Spanja festoi triumfin në Euro 2024, me Roça si drejtues i përkohshëm i Federatës së këtij vendi.

Ai u shpall fajtor për shkelje administrative në kohën kur ishte zëvendëspresident dhe drejtimin e institucionit e kishte Luis Rubiales.

Të dy u shpallën fajtorë se larguan nga detyra në mënyrë të padrejtë Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës dhe kjo ka sjellë tashmë dënimin e tij me 2 vite pezullim, nga 6 që ishin dhënë në shkallën e parë.

Kështu, Roça jo vetëm që humb çdo lloj funksioni drejtues, por as nuk mund të paraqitet në zgjedhjet për president që zhvillohen gjatë këtij viti. Drejtimin e përkohshëm të Federatës Spanjolle e merr Maria Angeles García Çaves, deri tani zëvendëspresidente e Federatës Spanjolle.

Çaves, një ish-futbolliste e cila luante me nofkën “Yaye” në vitet e saj te Ekstremadura, është vetëm 38-vjeçare dhe është një figurë që nuk njihej në sferën e menaxhimit sportiv derisa drejtimin e Federatës e mori Roça.

Ajo pritet të jetë në krye të kësaj organizate derisa të zhvillohen zgjedhjet e reja ku pritet që të kandidojnë emra si VIsente Del Boske apo Iker Kasijas për vendin e lënë vakant nga drejtues të cilët janë larguar me radhë me turp për shkak të shkeljeve dhe abuzimeve me postin.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat