Tirana përgatitet për ndeshjen e kthimit sa i takon raundit të parë kualifikues në Conference League.
Bardheblutë barazuan 1-1 në transfertën gjeorgjiane ndaj Torpedo Kutaisi, dhe të enjten në Elbasan do të synojnë fitoren për t’u kualifikuar.
Trajneri i kryeqytetasve, Bledi Shkëmbi foli në konferencë duke theksuar se për të marrë maksimumin nga kjo ndeshje, do të duhet që lojtarët të vrapojnë dhe të luftojnë shumë. Ndër të tjera, tekniku shtoi se tifozëve bardheblu ju premton se lojtarët nuk do të kursehen në fushë.
“Mendoj që kemi bërë një paraqitje të mirë në ndeshjen e parë, duke marrë parasysh kohën që kishim në dispozicion me ardhjen e shumë lojtarëve të rinj. Që një skuadër të konsolidohet do kohë, por sinjalet e asaj ndeshje janë pozitive. Ne e kemi riparë disa herë ndeshjen, jemi në mendimin që si skuadër kemi bërë ndeshje pozitive, por që kemi vlerësim maksimal për kundërshtarin. Vazhdoj të them që kemi para një kundërshtar të fortë.
Duhet të japim maksimumin, të vrapojmë dhe luftojmë pa fund, duhet të kemi besim kjo është e rëndësishme. Duhet besim për rezultat pozitiv për t’u kualifikuar, e dimë dhe e ndjejmë mundësinë që kemi.
Kjo është e rëndësishme që lojtarët dhe trajnerët e dinë se ku janë. Para ndeshjes, shanset janë 50 me 50, mendoj që me kundërshtarët duhet të jesh i barabartë dhe të mos mendosh se je më i fortë apo më i dobët.
E theksoj se kundërshtari është disa hapa para nesh, por në fushën e lojës do të mundohemi t’i ulim diferencat. Më bëri përshtypje që kishim tifozë në transfertë, i vlerësoj shumë dhe ndjeva kënaqësi. Ndoshta do të ishte më mirë me fitore, por më pëlqyen djemtë që i dhuruan tifozëve diçka ekstra. Shpresoj t’i kemi afër përsëri edhe në këtë ndeshje, i premtoj që lojtarët do të japim maksiumumin në fushë”, u shpreh Shkëmbi.