Koeman: Nuk respekton legjendat

Futboll

Koeman: Nuk respekton legjendat

Më: 19 korrik 2024 Në ora: 13:36
Ronald Koeman - majtas

Ronald Koeman nuk ndalet së kritikuari stafit e Barcelonës për menaxhimin që i ka bërë situatës së Frenkie de Jong.

Ish-trajneri i Barçës, trajner aktual i Holandës, është ankuar edhe gjatë përgatitjes së Europianit për gjendjen e dobët fizike të mesfushorit dhe ia atribuon faktit që Barcelona e detyroi të luante pa qenë në gjendje të përsosur fizike.

“Mendoj se di shumë më tepër se ju, ai luajti ndeshje të rëndësishme kur nuk duhej, nuk ishte në ritmin e lojërave apo stërvitjeve për të luajtur ndeshjet kundër PSG-së.

Nga ana tjetër, e kuptoj, sepse ishte një moment shumë i rëndësishëm për Barçën, por në fund nuk ka qenë mirë për shëndetin e Frenkie-t”, tha ai në një event bamirësia golfi që mban emrin e tij (Koeman Cup 2024).

Ajo që duhet të shqetësojë më shumë Barcelonën është gjendja aktuale e lojtarit. Koeman siguron se flet rregullisht me të dhe se De Jong nuk është i qetë me problemet e kyçit të këmbës.

“Sigurisht që flas me të, e njohim mirë njëri-tjetrin, ai është i shqetësuar për dëmtimin e tij. Para Kampionatit Evropian prisnim që ai të ishte mirë, e dinim që në ndeshjen e parë nuk do të mund të luante, por kishim shpresa, por nuk ishte kështu. Ai ka një dëmtim të rëndë dhe duhet të presim për të parë se si do të shkojë gjithçka. I uroj fat dhe të shërohet herët, por ende nuk është gati të luajë”, siguroi Koeman.

De Jong pësoi një ndrydhje të shkallës së dytë në kyçin e këmbës së tij të djathtë më 21 prill, gjatë “El Clasicos”, në “Bernabéu”, pas një ndërhyrjeje të ashpër të Valverdes.

Faktori rëndues i këtij dëmtimi është se në të njëjtin kyç ka pasur edhe dy lëndime të tjera në të njëjtin sezon, të gjitha për shkak të goditjeve.

Klubi e mohoi kategorikisht se bëhet fjalë për një dëmtim kronik, por e vërteta është se po merr shumë kohë për t’u rikuperuar. Javën e kaluar, një imazh i kyçit të këmbës së tij të fryrë shkaktoi polemika në internet.

Koeman u shpreh edhe një herë shumë kritik ndaj drejtuesve, duke e bërë të qartë se me Laportan në krye do të jetë e vështirë për Barcelonën që të jetë sërish në gjendje të konkurrojë për të arritur të gjitha sukseset.

Edhe nëse Nico Williams nënshkruan me Barcelonën, për ish-trajnerin problemi kryesor është mënyra se si janë larguar “legjendat” si ai, Xavi apo Messi.

“Unë e kuptoj interesimin për Nico Wllimans, sepse ai është një lojtar i madh. Vitet e fundit problemi i Barçës ka qenë se Messi është jashtë, unë jam jashtë, Xavi është jashtë… Mendoj se gjëja më e mirë është të respektosh legjendat e klubit. Kjo është shumë më e rëndësishme sesa të luftosh për një lojtar. Barça duhet të jetë në krye dhe vitet e fundit nuk është aty për të konkurruar. Unë mendoj se është për shkak të Bordit, sepse ata punojnë në një mënyrë që nuk është e mirë,” kritikoi Koaman.

“Shpresoj që Laporta më në fund të ketë durim me trajnerin e tij. Nëse nuk e ndjen mbështetjen e presidentit, je i humbur”, tha ai, duke iu referuar gjermanit Hansi Flick.

Koeman beson se Barcelona ka një ekip të mirë me të rinj të talentuar, por që i mungon një “yll” si francezi Mbappe.

“Në shumë gjëra Reali i Madridit është superior ndaj Barçës. E di që Barça ka shumë të rinj si Lamine, Pedri apo Gavi, por ka nevojë për njerëz si Mbappe që bëjnë ndryshimin në çdo mënyrë. Nëse nuk ke këtë lloj lojtarësh apo dikë si Messi… Lamine në moshën e tij është mbresëlënës, por duhet t’i japësh kohë dhe qetësi. Ka vetëm një Messi në botë, nuk do të shohim një tjetër në të ardhmen.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat