Partizani ditën e sotme do të nisë përgatitjet për turin e dytë të Conference League. “Demat” do të zbresin në fushë për të nisur kështu punën për duelin me Iberia 1999.
Orges Shehi do të bëjë kështu gati “kurthin” për ekipin gjeorgjian, teksa për të nuk do të jetë aspak e lehtë.
Kryeqytetasit do të kenë mungesa në këtë përballje. Valentino Murataj mori një dëmtim ndaj Marsaxlokk dhe në këtë mënyrë ditën e sotme do t’u nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore për të mësuar shkallën e dëmtimit.
Kapiteni nuk pritet të rikuperohet në kohë dhe kështu do të mungojë ndaj Iberia 1999. Por jo vetëm kaq, Marcelino Preka gjithashtu ka shfaqur probleme fizike dhe gjendja e tij do të shihet nga stafi mjekësorë. 20-vjeçari mban kështu në “ankth” Shehin për duelin e radhës.
Kujtojmë se sfida me Iberia 1999 do të zhvillohet ditën e enjte në orën 18:00. Dueli i parë mes tyre do të luhet në Gjeorgji në stadiumin “Mikheil Meskhi Stadium” në Tbilisi.