Ish sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Blerim Vula, gazetari i mirënjohur dhe veprimtari i shquar sportiv, ka bërë një analizë për ecurinë e skuadrave shqiptare (Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Veriut dhe Mali të Zi) në garat evropiane.
Ballkani nga Theranda, Deçiqi nga Tuzi, Struga Trim Lum, Egnatia nga Rrogozhina, janë eliminuar nga garat e Champions League dhe Llapi i Podujevës nga Europa League por do të vazhdojnë në Conference League.
Malisheva, Tirana, Vllaznia e Shkëndja, janë eliminuar nga garat e Conference League.
Për dallim nga të gjitha skuadrat e lartpërmendura, vetëm Partizani i Tiranës kaloi rrethin e parë në Conference League.
Blerim Vula ka bërë një analizë interesante me rezultatet e skuadrave shqiptare në garat evropiane.
“Nga po shkon futbolli shqiptar?!
Shumë shpesh, thuajse çdo ditë, hasim në vlerësime, analiza, debate dhe forma të tjera të ngjajshme të shprehjes lidhur me atë se ku, aktualisht, gjendet futbolli shqiptar? Cilat janë mundësitë reale të tij dhe sa po arrihen të përmbushën ato mundësi?
Si dhe sa po punohet që ato mundësi të rritën? Trajnerët, punëtorët sportiv, analistët, “analistët”, gazetarët sportiv e shumë të tjerë japin mendimet e vlerësimet e tyre, të cilat, ngjan që të mos kenë asgjë të përbashkët me realitetin, me gjendjen faktike në terren. Më befasues është fakti se këto mendime e vlerësime ndryshojnë nga njëri ekstrem në tjetrin, nga dita në ditë, bile ndodh që të ndryshojnë edhe brenda ditës!
Mbase edhe kjo nuk është e çuditshme nëse merret parasysh situata aktuale, ose më saktësisht nëse merren rrjedhat gjatë kësaj vere. Pas një përshtypjeje të mirë vizuele që kombëtarja shqiptare e la në Evropianin e Gjermanisë (nuk mund të thuhet edhe rezultateve të mira, pasi në 3 ndeshje u arkëtua vetëm 1 pikë!), turni i parë i garave në kupat Evropiane për klube, na rrëzoi për toke, për të mos thënë se na futi nën te.
Nga 10 klube shqiptare që u paraqitën në start – 4 nga Shqipëria (Egnatia, Vllaznia, Tirana e Partizani), 3 nga Kosova (Ballkani, Llapi e Malisheva), 2 nga Maqedonia e Veriut (Struga e Shkëndija) dhe 1 nga Mali i Zi (Deçiqi), kundërshtarin e vetë arriti ta eliminoi vetëm Partizani, ndërsa 9 të tjerë këtë nuk ia dolën ta bëjnë!!! Kjo është më shumë se dëshpëruese, posaçërisht nëse dihet se shumë prej tyre përballë kishin futbollistë amatorë që futbollin e kanë hobi e jo profesion. Pas këtij bilanci dëshpërues, nuk mundemi e të mos pyesim – Nga po shkon futbolli shqiptar?!
Kujtoi se ky duhet të jetë moment reflektimi i të gjithë atyre që e duan futbollin shqiptarë e posaçërisht i atyre që në çfardo forme janë të lidhur me këtë futboll – duke filluar nga prijësit e federatave përkatëse, prijësit e klubeve, trajnerët e të gjitha kategorive nga seniorët e deri te grupmoshat më të reja e deri te prijësit e shkollave të shumta të futbollit që aktualisht funksionojnë në trojet shqiptare. Këtu nuk përjashtohen as analistët, të vetëquajturit analistë dhe gazetarët sportiv.
Të gjithë ata duhet t’ia vejnë gishtin kokës dhe dhe të mendojnë e vlerësojnë se a janë duke punuar sa dhe si duhet, çka duhet të ndryshojnë që edhe realiteti të ndryshon dhe a janë adekuat për atë punë që e bëjnë, apo duhet t’ia lirojnë vendin dikujt tjetër që atë punë di ta bëjë më mirë. Sa më parë që ta bëjnë këtë, aq më shumë rriten gjasat që të dalim nga kjo situate aspak e mirë. Sepse, gjendja nuk ndryshohet me fjalë por me punë”, ka shkruar Vula në profilin e tij në facebook.