Juventusi po kërkon me ngulm futbollistin Karim Adeyemi. Gjermani i lindur në vitin 2002 është objektivi i bardhezinjve për të forcuar mesfushën me një lojtar me tipare të theksuara sulmuese.
Me shitjen e Matias Soulé, i destinuar për t’iu bashkuar Romës, dhe me çështjen e Federico Chiesas të hapur (kontrata e të cilit skadon pas një viti), Cristiano Giuntoli e ka identifikuar 22-vjeçarin si profilin ideal për të forcuar ekipin bardhezi.
Sipas asaj që raporton Sky Sport, orët e fundit është zhvilluar një takim mes klubit të Juventusit, i përfaqësuar nga Giuntoli, dhe babait të futbollistit.
Gazetari italian, Fabrizio Romano, tregon se në këtë takim, “Zonja e Vjetër” i ka paraqitur një propozim konkret lojtarit të Borussias së Dortmundit.
Objektivi i klubit italian është ta bllokojë lojtarin, i cili ende nuk ka dhënë një përgjigje, përpara se të ulet në tavolinë dhe të negociojë me Borussian.
I rritur në Bavari, pranë Mynihut, Karim Adeyemi luajti për ekipin e të rinjve të Bayernit. Për shpërthimin përfundimtar, megjithatë, ai duhej të transferohej në Austri, te Red Bull Salzburg, që e mori në moshën 16-vjeçare.
Një përvojë në formë huazimi te Liefering, një klub satelit, përpara se të kthehej në bazë dhe të bënte kërcimin përfundimtar në ekipin e parë.
Në verën e vitit 2022 erdhi kalimi te Borussia e Dortmundit për mbi 30 milionë euro mes pjesës fikse dhe bonuseve.