Partizani kthehet me humbje dhe pa Rrapajn nga Gjeorgjia

Futboll

Partizani kthehet me humbje dhe pa Rrapajn nga Gjeorgjia

Më: 25 korrik 2024 Në ora: 20:10
Pamje nga ndeshja

Partizani ka pësuar humbje (2:0) në ndeshjen e parë të turit të dytë të Ligës së Konferencës përballë Iberia 1999 në Gjeorgji, në një sfidë ku episodet nuk ishin në favor të të kuqve dhe rrezikojnë mundësitë e kualifikimit.

Vendasit u shfaqën rrezikshëm disa herë para Qirkos, derisa ky i fundit shkaktoi penallti me një ndërhyrje të gabuar pas 30 minutash lojë. Avantazhi nga pika e bardhë i dha qetësi gjeorgjianëve të cilët administruan lojën dhe nuk lejuan të kuqtë të afroheshin rrezikshëm pranë portës së tyre.

Starti i pjesës së dytë solli goditjen e radhës, kur Rrapaj u ndëshkua me të kuq dhe la ekipin me 10 lojtarë që në minutën e 47. Gjeorgjianët vuajtën për pak minuta, por më pas gjetën edhe golin e dytë me Syla, i cili shënoi në pozicion jashtë loje, por që nuk mund të verifikohej për shkak të mungesës së VAR në këtë tur të Ligës së Konferencës.

Partizani u mundua të rihapte ndeshjen, por e kishte të pamundur përballë vendasve të kujdesshëm në mbrojtje e kështu, të kuqtë kthehen në Shqipëri me një humbje që bën shumë të vështirë mundësinë e kualifikimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat