Sulmuesi “bën lëmsh” dy klubet shqiptare, Prishtina - Laçi

Futboll

Sulmuesi “bën lëmsh” dy klubet shqiptare, Prishtina - Laçi

Më: 26 korrik 2024 Në ora: 23:16
Foto ilustrim

Ronald Sobowale u prezantua nga Prishtina të enjten, me rekordmenët e futbollit dardan që përzgjodhën të postonin një kolazh me golat e 27-vjeçarit. 

Sulmuesi i lindur në Londër arriti të shënonte 9 gola një edicion më parë me Laçin në Superiore.

Ndërkohë që u huazua te Malisheva për Kupat e Europës, ku luajti në të dyja ndeshjet, por pa mundur të gjente rrugën e rrjetës.

Megjithatë, pas aventurës së shkurtër tek ish-ekipi Malisheva, sulmuesi u zyrtarizua nga Prishtina. Për vetëm pak momente, pasi bardhekaltrit kryeqytetas e fshinë postimin nga faqja zyrtare.

Shkaku? Sobowale ndodhet nën kontratë me kurbinasit. Verën e shkuar, bardhezinjtë raportuan se kishin nënshkruar për 2 vite me lojtarin me origjinë nigeriane.

I cili ishte shënuesi i katërt më i mirë i kampionatit shqiptar në sezonin e fundit, si dhe një nga lojtarët më të rëndësishëm tek ekipi i Armando Cungut.

Prezantimi i tij nga Prishtina ka befasuar drejtuesit e klubit kurbinas, të cilët e llogaritin sulmuesin si pjesë të sezonit të ri. Ndërkohë që te Prishtina reaguan duke fshirë postimin jo shumë momente pasi kishin njoftuar tifozët për afrimin e qendërsulmuesit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat