Pep Guardiola ka gëzuar tifozët e Manchester Cityt në deklaratën e fundit. Tekniku spanjoll ndodhet në vitin e fundit të kontratës, teksa është shprehur më parë se në fundin e vitit do të marrë një vendim përfundimtar.
Nëse do të rinovojë apo do ta mbyllë me kampionët e Anglisë gjatë verës së ardhshme. Së fundmi, Guardiola ka dhënë sinjale rinovimi, teksa nuk e kursen lojën e fjalëve në lidhje me të ardhmen.
“Sigurisht që nuk do të qëndroj edhe 8 vite të tjera te City”, shprehet katalanasi, i cili mban postin e trajnerit të skuadrës nga Manchesteri prej verës së vitit 2016.
53-vjeçari vijon: “Dua të jem i sigurt se vendimi që do të marr do të jetë i duhuri. Jo vetëm për mua, por edhe për klubin. Gjithashtu për futbollistët.
Jam shumë i sigurt se nuk do të qëndroj për 8 vite të tjera, sepse jam i idesë se është pozitive dhe gjë e mirë të rifreskohen lojtarët dhe trajnerët.
Në të njëjtën kohë ne kemi pasur sukses, duke fituar përsëri Premier League. Do të më pëlqente të qëndroja…
Do të doja të isha pjesë e Cityt edhe në Botërorin për Klube”. Kompeticion që fillon në datën 15 qershor të vitit 2025.
Gjatë këtyre viteve në ishull Pep Guardiola ka fituar në total 17 trofe me Manchester Cityn, ku bien në sy 6 titujt kampionë.