Portieri i Manchester United, Andre Onana beson se përvojat hidhura të sezonit të kaluar do t’i shërbejnë që ai të bëjë më mirë në sezonin e ri. Sezoni i parë i Onanës, që u transferua në “Old Trafford” për shifrën e 55 milionë eurove nga Interi verën e kaluar, u shënua kryesisht nga gabimet, që ishin të shpeshta dhe shumë herë vendimtare.
Nga një prej gabimeve, Manchester United doli nga Liga e Kampionëve në fazën e grupeve dhe për trajnerin Eric ten Hag u ngritën shumë pikëpyetje, pasi ai la të lirë spanjollin De Gea për të sjellë në ekip pikërisht kamerunasin.
Onana u përmirësua pas Kupës së Kombeve Afrikane, megjithëse ai u fajësua për atë që u dëshmua të ishte goli ngushëllues i Manchester City në finalen e FA Cup majin e kaluar.
“Viti i kaluar do të ndihmojë, 100% për të qenë më mirë. Kur ndryshon ambient, shpesh të duhet kohë për të arritur të bësh më të mirën dhe të luash më mirë.
Gabimet janë pjesë e jetës dhe ata që marrin përgjegjësi, gabojnë shpesh. Manchester United është një klub shumë i madh dhe kërkohet shumë karakter për të luajtur këtu, cilësi që unë besoj se e kam”, u shpreh Onana.