Lajm i hidhur për futbollin e Kosovës.
Ka ndërruar jetë ish futbollisti llapjan, Bedri Muçolli.
Presidenti i FFK-së. Agim Ademi, i shpreh ngushëllime familjes Muçolli.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të ish-futbollistit, gjyqtarit dhe delegatit të ndeshjeve të futbollit, Bedri Muçolli, andaj më lejoni që në emrin tim, të Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe të tërë komunitetit të futbollit, t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta.
Bedri Muçolli, nga gjeneratat më të vjetra, mbahet mend si një futbollist i shquar i KF Llapi dhe KF Prishtina në fundvitet e 50-ta dhe vitet e 60-ta, një sulmues agil me nuhatje të madhe për golin.
Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Bedriu vazhdoi të japë kontributin e tij si gjyqtar, duke arritur nivelin federativ dhe duke u dalluar për korrektësinë dhe profesionalizmin e tij. Ai dha kontribut të vlefshëm edhe si delegat i ndeshjeve, ku gjithashtu u shqua për punë profesionale dhe korrektësi maksimale.
Bedriu, i cili vinte nga një familje sportdashëse me shumë sportistë, la gjurmë të thella në futbollin e Llapit dhe të kryeqytetit. Ai njihej si një intelektual i respektuar dhe njeri tejet modest e i dashur për të gjithë.
E nderuara Familje Muçolli, në këto momente të vështira për ju, jemi pranë jush që të gjeni forcën për të përballuar humbjen e më të dashurit tuaj.
I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!”, shpreh ngushëllime Ademi.