​Pse dështuan klubet e Kosovës në garat evropiane? Flasin analistët

Futboll

​Pse dështuan klubet e Kosovës në garat evropiane? Flasin analistët

Më: 28 korrik 2024 Në ora: 11:43
Ilustrim

Përveç skuadrës së Dritës së Gjilanit që mori një fitore në ndeshjen e parë të Ligës së Konferencës kundër Breidablikut, të gjitha skuadrat tjera kosovare dështuan në garat evropiane.

Ballkani u eliminua nga Liga e Kampionëve, Llapi nga Liga e Evropës ndërsa Malisheva nga Liga e Konferencës.

Një ecuri të tillë analistët po e konsiderojnë si dështim total. Analisti Alban Lumi konsideron se paraqitja kaq e dobët e skuadrave kosovare në Evropë shpërfaq nevojën urgjente për të sjellë ekspertë të futbollit, por edhe trajnerë me përvojë nëpër klube.

Lumi: Klubet duhet të sjellin trajnerë me përvojë

“Mendoj se skuadrat duhet të sjellin edhe ekspertë më me përvojë krahas investimeve të tjera që i bëjnë në klubet e tyre, të sjellin edhe trajnerë me nam nga ata që kanë përvojë më tepër nga Evropa apo kudo tjetër...Po mendoj që tani Kosovës krahas mendimit për një infrastrukturë të mirë që ende kemi ngecur dhe shteti ndoshta ka prioritete të tjera, atëherë neve na duhen edhe ekspertë të lojës magjike të futbollit që edhe vet trajnerët tanë të mësojnë më tepër. Ne kemi trajnerë që kurrë nuk kanë punuar diku tjetër si shef të shtabit profesional dhe për një vit fal ndoshta edhe fatit, fal edhe paraqitjes së skuadrave të tjera ia dalin që të dalin në Evropë, por megjithatë pastaj ato pritjet po dështojnë”, ka thënë Lumi.

Ndërsa komentuesi i sportit, Arbër Loxha, thotë se pritjet nga skuadrat kosovare ishim dukshëm më të larta se kapaciteti i tyre real.

Loxha: Skuadrat e Kosovës dështuan në Evropë

“Patjetër që mund ta quajmë dështim. Kam përshtypjen që pritjet kanë qenë më të mëdha se sa realisht kemi qenë të përgatitur për të pasur duele të vështira në garat evropiane. Konsideroj që, sidomos Ballkani, me largimin e lojtarëve të boshtit kanë reflektuar edhe në rezultate në garat evropiane...Konsideroj që përsëri mund të mësohet nga kjo se çfarë ka ngjarë në këtë fillim edicioni në garat evropiane dhe mendoj që në të ardhmen do të bëhet dallimi se si duhet të fitohet në Evropë kur kemi rezultate të këtilla këtë edicion”, deklaroi Loxha.

Trajneri i futbollit, Robert Gjeraj konsideron se ky dështim erdhi për shkak të ndryshimeve të mëdha që kanë bërë skuadrat në organizimin e tyre.

Gjeraj: Nuk kam pritur më shumë nga klubet tona

“Për mua kjo ka qenë diçka e pritur duke i parë ndryshimet që i kanë bërë të gjitha ekipet në përbërjen e tyre që e kanë pasur, sidomos Ballkani që ne kemi pritur shumë prej Ballkanit, mirëpo unë nuk kam pritur shumë prej Ballkanit sepse ka bërë shumë ndryshime në ekip, të paktën 11 lojtarë iu kanë larguar dhe është e pamundur brenda një muaji që të bëhet kombinimi i lojtarëve dhe të luhet në një kompeticion ku pret e gjithë Kosova ndoshta edhe vetë klubi... Realisht, është një dështim i ekipeve tona në Evropë, kjo na jep mësim për herë të tjera që duhet të jemi më të përgatitur dhe nuk është çdoherë e lehtë”, tha Gjeraj.

Gjithsesi, përfaqësimi i Kosovës në garat evropiane po vazhdon vetëm në Ligën e Konferencës, si kategoria më e ulët e një gare evropiane. Aty po marrin pjesë Ballkani, Drita dhe Llapi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat