Partizani kërkon përmbysjen e parë në histori, Shehi harton planin e kuq

Futboll

Partizani kërkon përmbysjen e parë në histori, Shehi harton planin e kuq

Më: 30 korrik 2024 Në ora: 08:35
Foto ilustrim

Të shkruash historinë është gjithnjë e vështirë, aq më shumë kur duhet të kalosh në një rrugë tërësisht të pashkelur. Këtë do të synojë Partizani kundër Iberias.Pas humbjes me shifrat e pastra 2-0 në Gjeorgji, të kuqtë do të duhet të ekzekutojnë një plan perfekt për të arritur përmbysjen e madhe, çka do të ishte një rezultat fantastik, që do të shkruhej edhe në librin e rekordeve të klubit.

Nga shtatë kalime turi gjithsej që shënohen në historinë e Partizanit, të kuqtë nuk kanë arritur në asnjërin prej këtyre rasteve që ta përmbushin këtë mision pas një humbjeje në ndeshjen e parë, pra me përmbysje.

Të enjten ata do të përpiqen të thyejnë këtë “tabu” dhe të kalojnë në turin e tretë. Në skuadër është krijuar një atmosferë mjaft pozitive, me bindjen se përmbysja do të arrihet. Në fakt përballë një kundërshtari të një niveli të tillë Partizani i ka të gjitha mundësitë për të arritur të kalojë në turin e tretë. Gjithashtu, duhet thënë se të kuqtë në këto dy vite të fundit po ndërtojnë një ecuri shumë të mirë në Europë, duke kaluar ture dhe rritur ndjeshëm koeficientin e UEFA-s.

PLANI – Fakti që duhet të krijojë një diferencë prej të paktën dy golash në 90 minuta për ta çuar ndeshjen të paktën në shtesë, e shtyn trajnerin Shehi të mendohet thellë për formacionin dhe ndoshta edhe të ndryshojë skemë, duke hequr dorë nga ajo 3-5-2, që iu përshtat mirë Marsaslokut, por çaloi në Gjeorgji. Në kampin e kuq gjithçka është mbajtur sekret, por ajo çka nuhatet dhe parashikohet është që të ketë më shumë sulmues në fushë. Rikthimi te skema 4-3-3 shihet si një mundësi, me balotazhet që nisin në mbrojtje. Nuk përjashtohet prania e Janjevës në vend të Sembene, teksa në të majtë të sulmit ka një balotazh mes Bintsukës dhe Rifës. Deri të enjten mund të ndryshojnë shumë gjëra.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat