Sulmuesi Albin Berisha i ka siguruar fitoren e parë skuadrës së Petrolulit këtë edicion në kampionatin e Rumanisë.
Berisha shënoi golin e vetëm në fitoren 1:0 kundër Rapid Bukureshtit, të hënën mbrëma.
Ai ishte titullar te Petroluli dhe luajti deri në minutën e 73-të, ndërsa golin e realizoi në pjesën e parë, saktësisht në minutën e 31-të.
Me këtë fitore, Petroluli ka tubuar katër pikë pas tri xhirove të zhvilluara në elitën e futbollit rumun.
Pas ndeshjes, Berisha 23-vjeçar është shprehur i kënaqur me golin e shënuar por ka shprehur shqetësimet e tij për problemet financiare të klubit.
Berisha ka falënderuar tifozët për përkrahjen, ndërsa nuk ka harruar që drejtuesve të klubit t’u bëjë me dije se duhet t’i kryejnë obligimet ndaj futbollistëve.
“Është vetëm ndeshja e tretë dhe gjërat e mira do të vijnë. Është ndjenjë e mirë kur shënosh para këtyre tifozëve të mrekullueshëm. Por, është problem kur në klub ka probleme financiare edhe pse ne jemi këtu për të luajtur dhe shijuar futbollin”, ka thënë Berisha.
Ai në shkurt të këtij viti iu bashkua Petrolulit nga Ballkani i Suharekës dhe me ekipin rumun ka kontratë deri në vitin 2027.