Trajneri i Newcastle tërhiqet nga gara për trajnerin e Anglisë

Futboll

Trajneri i Newcastle tërhiqet nga gara për trajnerin e Anglisë

Më: 30 korrik 2024 Në ora: 11:51
Eddie Howe

Federata Angleze e Futbollit (FA) është ende në kërkim të një trajneri të ri për kombëtaren, për të zëvendësuar Gareth Southgate, i cili dha dorëheqjen pas humbjes në finalen e Euro 2024.

Pak emra të përfolur kanë mbetur në garë për këtë detyrë, ndërkohë që njëri prej tyre, Eddie Howe, trajneri i Newcastle, tashmë është tërhequr nga lista e kandidatëve të mundshëm.

“Askush nuk më ka kontaktuar për këtë detyrë”, tha nga Tokio trajneri i ekipit bardhezi, ku ekipi i tij ka disa miqësore të planifikuara këtë javë. “Dhe, për më tepër, unë jam plotësisht i përkushtuar ndaj Newcastle”, tha Howe.

Më pas, theksoi se ai nuk kishte nevojë të bënte ndonjë deklaratë zyrtare për këtë çështje, veçanërisht për të qetësuar lojtarët e tij. “Nuk ka asgjë për të folur, nuk kam nevojë t’u shpjegoj asgjë lojtarëve. Ata e dinë këtë”.

“Besoj se ata e kuptojnë nga mënyra si sillem, nga mënyra si punoj çdo ditë dhe nga sa punoj”, tha Howe. Emrat e tjerë që kanë qarkulluar deri tani janë ata të gjermanit Thomas Tuchel, argjentinasit Mauricio Pochettino dhe britanikut Graham Potter.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat