Fitore me aromë shqiptare për Spartën e Pragës, që ia doli të triumfojë me shifrat 4-2 në ndeshjen e kthimit ndaj Shamrock Rovers dhe të kualifikohet në turin e tretë eliminator të Ligës së Kampionëve.
Kampionët e Çekisë kishin hedhur një hap drejt kualifikimit që në ndeshjen e parë me fitoren 0-2, teksa sfida e të martës në mbrëmje rezultoi një formalitet për skuadrën nga Praga.
Qazim Laçi dhe Ermal Krasniqi e nisën si titullarë takimin në Pragë, teksa mesfushori i kombëtares shqiptare asistoi në golin e dytë të Spartës.
Ndërkohë goli i katërt ishte tërësisht shqiptar, me Ermal Krasniqin që shërbeu për sulmusin Indrit Tuci, i cili i ardhur nga stoli, shënoi për të vulosur shifrat 4-2.
Në turin e tretë Sparta e Pragës do të përballet me fituesen e çiftit Steaua Bukuresht-Maccabi Tel Aviv.