E sotmja në 20:00 nuk është aspak një ndeshje e zakonshme për Partizanin.
Të kuqtë do të duhet të përmbysin humbjen 2-0 të ndeshjes së parë kundër Iberias për të kaluar në turin e tretë, por edhe për të shmangur një “furtunë” largimesh në skuadër, por edhe në rolet drejtuese.
Kjo verë ka qenë e vështirë për skuadrën dhe klubin në tërësi, si në fushë, ashtu edhe në merkato.
Skuadra kaloi me vështirësi maltezët e Marsaslokut pas dy ndeshjesh të komplikuara, që u zgjidhën vetëm në minutat e fundit.
Nga ana tjetër lojtarët e ardhur nga merkatoja nuk kanë mundur të rrisin nivelin e ekipit në këto ndeshje dhe nuk janë parë tërësisht gati. Janë larguar disa titullarë kyç, por ende nuk është përmbyllur asnjë shitje, e planifikuar nga klubi për të rritur fitimet në fund të një sezoni që u mbyll pa titullin kampion.
Duket sikur një valë ndryshimesh po i vjen rrotull Partizanit, që ka vetëm një shpëtim.