Pjesëmarrje e madhe në turne, tani është tradicional në fshatin Varosh

Futboll

Pjesëmarrje e madhe në turne, tani është tradicional në fshatin Varosh

Më: 1 gusht 2024 Në ora: 15:34
FC Shabani, kampion

Mbi 1 mijë shikues ishin çdo ditë në turneun e futbollit të vogël që u mbajt në fshatin Varosh të Ferizajt. 

Turne që çdo vit po bëhet më interesant dhe po përcillet nga një numër i madh i tifozëve.

Mbrëmë përfundoi turneu, ku gjatë do të mbahet mend për nga numri i shikuesve dhe rivaliteti mes ekipeve në finale.

Kryetari i fshatit, Visar Heda, tha se tani ky turne është tradicional në Varosh.

“FC Shabani kampion i turneut Mërgimtari 2024 në fshatin Varosh. Turneu i katërt me radhë i futbollit të vogël, i cili është bërë tradicional në fshatin Varosh, përfundoi me sukses të madh. Ky turne u zhvillua nga data 26 korrik deri më 31 korrik, duke mbledhur rreth 20 ekipe të rriturish dhe 10 ekipe fëmijësh, me mbi 250 lojtarë pjesëmarrës.

Gjatë turneut, pati shumë ngjarje interesante dhe emocionuese për shikuesit. Më 31 korrik, u zhvilluan tre ndeshje të rëndësishme, duke përfshirë finalen e fëmijëve dhe një ndeshje mes Ushtrisë së Kosovës dhe asaj Amerikane (SHBA). Finalja e madhe filloi në ora 20:30, duke sjellë një ndeshje të fortë mes ekipeve FC Hajdart dhe FC Shabani. FC Shabani fitoi me një rezultat të ngushtë 0:1, me golin e vetëm të shënuar nga Leart Shabani”, thotë Heda.

Në turne ishin shumë të pranishëm, si kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu.

“Në këtë turnir tradicional, morën pjesë të gjithë banorët e fshatit Varosh, bashkë me mërgimtarët dhe figura publike si kryetari i komunës Agim Aliu, drejtori i arsimit Afrim Llabjani, drejtori i zhvillimit ekonomik Balton Derguti, përfaqësues nga KFOR-i Amerikan dhe Ushtria e Kosovës, deputeti i Republikës së Kosovës Valon Ramadani, asambleisti Habib Krosa dhe figura sportive si Ilaz Mjaku (ish futbollist), Zahir Shabani (ish boksier i mirënjohur) dhe Gani Heta (ish xhudist)”, ka nënvizuar Heda.

“Gjatë ceremonisë, u ndanë mirënjohje për kontributet e dhëna. Kryetari i fshatit Varosh, Visar Heda, ndau një mirënjohje për kryetarin e komunës, Agim Aliu, për mbështetjen e tij në aktivitetet sportive. Një tjetër mirënjohje iu dha sponsorizuesit gjeneral, z. Shukri Mjaku, nga kryetari i komunës Agim Aliu, për sponsorizimin e turneut  me kompanitë e tij Sternenfeld dhe Elva Grup nga Zvicra. Mirënjohje pranuan edhe deputeti i republikës Kosovës Valon Ramadani, Ilaz Mjaku, Zahir Shabani, Gani Heta, Habib Krosa, Hamdi Krosa, KFOR-i amerikan, Ushtria e Shteteve te Bashkuara USA Army”, tregon Heda. 

U promovua edhe vepra poetike nga profesori i gjuhës shqipe, poeti Fatmir Heda, i cili dhuroi botimin e tij të poezive “Shkëndijat e Vonuara” kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, dhe drejtorit të arsimit, Afrim Llabjani.

“Lojtari më i mirë i turnirit u shpall Selman Shabani, ndërsa portieri më i mirë Beqë Heta. Kryesia e fshatit Varosh falënderon të gjithë kapitenët e ekipeve për bashkëpunimin fenomenal”, thonë organizatorët e turneut Visar Heda dhe Habib Krosa.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat