“Loro Boriçi” kthehet në ogur për islandezët, Vikingur përmbys dhe eliminon Egnatian

Futboll

“Loro Boriçi” kthehet në ogur për islandezët, Vikingur përmbys dhe eliminon Egnatian

Më: 1 gusht 2024 Në ora: 22:03
Pamje nga ndeshja

Rrogozhinasit u mposhtën 0:2 përballë Vikingur Reykjavik, me skuadrat islandeze që duket se e kanë kthyer në habitatin e preferuar impiantin “Loro Boriçi”, ku dy javë më parë, një tjetër skuadër ishullore triumfoi këtu, me Valurin që eliminoi Vllazninë.

Pavarësisht suksesit minimal 1-0 një javë më parë, Egnatia nuk ia doli të shfrytëzonte avantazhin duke mbyllur këtu rrugëtimin në arenën europiane, me islandezët të cilët përmbushën misionin e tyre.

Sfida nisi me të dyja skuadrat kërkuese, teksa në minutën e 28-të Vikingur kaloi në avantazh falë një autogoli të Francois Dulysse. Një moment që ndryshoi simfoninë e takimit, me miqtë që kërkuan në maksimum të shfrytëzonin momentin, ndërsa në minutën e 45-të islandezët kërcënuan në dy momente portën e Dabjanit, por pa sukses.

Gjithsesi goli i dytë erdhi shumë shpejt, me fillimin e pjesës së dytë kur në minutën e 48-të Thrandarson shkundi sërish rrjetën e rrogozhinasve.

Me kalimin e minutave islandezët menduan më shumë për mbrojtjen, teksa kampionët e Shqipërisë kërkuan me ngulm golin për ta rihapur ndeshjen, me skuadrën e Tetovës që provoi me ngulm, me goditje nga distanca, por që në fund rezultuan vetëm një iluzion.

Në fund 0-2 dhe Egnatia e mbyll këtu rrugëtimin në UEFA Conference League me një eliminim që dhemb, teksa në krahun tjetër, Vikingur vijon rrugëtimin në arenën europiane.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat