Klubet e Kategorisë Superiore kanë mbyllur që në turin e dytë pjesëmarrjen e tyre në Europë dhe përtej bilanceve sportive që duhet të bëjnë për praninë në këtë aktivitet, duhet të bëjnë edhe atë financiare të përfitimeve që kanë nxjerrë nga fondet e UEFA-s.
Klubi që ka përfituar më shumë, ashtu siç pritej, ishte Egnatia, që mori pjesë fillimisht në Ligën e Kampioneve dhe më pas Ligën e Konferencës.
Rrogozhinasit kanë përfituar nga 175 mijë euro për secilin prej tureve në të cilin kanë luajtur, 350 mijë euro si bonus për eliminimin në turin e dytë të Ligës së Konferencës si dhe 260 mijë euro që UEFA i jep çdo skuadre kampione që nuk arrin fazën në grupe. Kësisoj, për ta është regjistruar një fitim prej 960 mijë eurosh për praninë në Europë,
Pas tyre është Partizani që ka fituar 700 mijë euro nga prania në Europë, falë pjesëmarrjes në dy ture si dhe eliminimit në të dytin e Ligës së Konferencës.
Kurse Tirana dhe Vllaznia duhet të kënaqen në këtë edicion me vetëm 325 mijë euro, pasi u eliminuan që në turin e parë. Në total janë 2,31 milionë euro që janë siguruar nga skuadrat e Superiores falë fondeve të caktuara nga UEFA për kompeticionet e saj.
FITIMET E KLUBEVE TË SUPERIORES
Egnatia – 960 mijë euro
Partizani – 700 mijë euro
Vllaznia – 325 mijë euro
Tirana – 325 mijë euro