Juventusi hedh sytë nga Broja

Futboll

Juventusi hedh sytë nga Broja

Më: 2 gusht 2024 Në ora: 10:35
Armando Broja

Juventusi është ende një kantier i hapur, teksa Giuntoli po punon për të formuar një skuadër konkurruese në dispozicion të trajnerit Thiago Motta. Në pritje për t’u zgjidhur e ardhmja e Federico Chiesës, i cili me gjasë do të largohet nga Torino, drejtuesi i klubit bardhezi vijon të punojë për të afruar një sulmues krahu, por edhe një qendërsulmues.

Kjo pasi Milik po vuan dëmtime të shpeshta dhe Vlahovic nuk mund të mbajë i vetëm peshën e repartit të avancuar, teksa media pranë klubit bardhezi kanë nxjerrë emrin e sulmuesit kuqezi Armando Broja, si një alternativë për t’u afruar te Juventusi.

Sipas tyre bëhet me dije se Giuntoli ka kontaktuar drejtuesit e Chelsea-t për t’u konfirmuar vullnetin e Juventusit për të marrë sulmuesin shqiptar në huazim me të drejtë blerjeje verën e ardhshme, opsion ky që nuk preferohet fort nga londinezët, që duan ta shesin njëherë e mirë Brojën.

Gjithsesi deri tani për sulmuesin shqiptar nuk ka pasur asnjë ofertë konkrete që të kënaqë pretendimet e Chelsea-t, ndaj nuk përjashtohet mundësia që në ditët e ardhshme londinezët të pranojnë opsionin e huazimit të tij te Juventusi.

Nga ana tjetër, duket se trajneri Thiago Motta ka dhënë miratimin e tij për Brojën, të cilin e sheh sit ë duhurin jo vetëm për të zëvendësuar Vlahovic, por edhe për të luajtur bashkë me serbin në rast të një skeme me dy sulmues.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat