Napoli prezantoi një nga blerjet e kësaj vere, Rafa Marin që mbërrin në Itali i formuar në një klub si Reali i Madridit. 22-vjeçari, theksoi se idhulli i tij është Sergio Ramos ndërsa theksoi edhe ndryshimin e taktikës nga Spanja në Itali dhe sidomos nën urdhrat e Antonio Contes.
“Bota e Real Madridit më ka mësuar shumë gjëra që kur isha fëmijë, për shembull vlerën e punës, duke dhënë gjithçka deri në fund, duke u mbështetur te puna dhe jo te fati. Të gjitha mësimet që kam mësuar do t’i sjell këtu në Napoli.
Tifozët e Realit janë të trishtuar për lamtumirën time? Jam shumë i lumtur që jam në Napoli, unë dhe familja ime nuk mund të kishim bërë një zgjedhje më të mirë. Unë luaj për një klub të madh dhe në Serinë A, një mundësi që nuk doja ta humbisja.
Seancat stërvitore me Conten janë të vështira, por ne përshtatemi, në Spanjë është ndryshe. Kam vuajtur pak në fillim.
Ne e dimë që punojmë shumë tani për të arritur qëllimin në fund. Në nivel kolektiv duhet të përmirësohemi shumë dhe ne po e bëjmë këtë, mendoj se Conte është i lumtur sepse sheh përmirësime çdo ditë dhe gjatë miqësoreve.
Idhulli im? Idhulli im ka qenë gjithmonë Sergio Ramos që kur isha i vogël, ai është një referencë për cilësitë e tij, guximin, mënyrën e të qenit brenda dhe jashtë fushës. Roli? Unë po luaj si mbrojtës i krahut të djathtë në fushë. Por, jam fleksibël dhe mund të luaj në të gjitha pozicionet në mbrojtje”, u shpreh Marin.