Dëbutim ëndrrash për Klejdi Dacin. Ish-sulmuesi i Teutës u transferua te skuadra e Olmaliq në këtë merkato vere, teksa menjëherë u shndërrua në protagonist duke realizuar dopietë në triumfin 2-3 që skuadra e tij realizoi me përmbysje ndaj Andijan, skuadër që më herët është aktivizuar edhe Rubin Hebaj.
Vendasit shënuan dy herë në minutat 35 dhe 41, ndërkohë që në minutën e 43-të, Daci shkurtoi fillimisht diferencën, teksa në minutën e 66-të, kompletoi dopietën duke vendosur baraspeshën e përkohshme.
Për golin e fitores mendoi Sançez në minutën e 79. Ky duel ishte i vlefshëm për javën e 14-të në Superligën e Uzbekistanit.
Falë këtij triumfi Olmaliqi u ngjit në kuotën e 26 pikëve, po aq sa kryesuesit e Nasaf Qarshi..