Andrea Belotti këtë sezon do të jetë pjesë e Comos, teksa sulmuesi u largua nga Roma pa shumë bujë. Megjithatë, nën drejtimin e Cesc Fabregas, italiani do të tentojë të rikthehet në versionin e tij më të mirë dhe të udhëheqë Comon.
Në një intervistë të fundit për Sky Sport, Belotti u shpreh se zgjodhi Comon për shkak se ata i besuan ndërsa shtoi se për një futbollist është shumë e rëndësishme të ndjehet i vlerësuar.
“Jemi gati, tani do të kemi Kupën e Italisë dhe më pas debutimin në kampionat kundër Juventusit. Çfarë më shtyu të pranoja Comon? Jam këtu dhe kam shumë entuziazëm, Como më ka dashur shumë që nga fundi i sezonit të kaluar.
Ata insistuan shumë, ky ishte një nga faktorët që më shtyu të vija këtu. Një interes i fortë, intensiv, u ndjeva i kënaqur dhe për një futbollist kjo është e rëndësishme, do të thotë se drejtuesit besojnë te ty”, u shpreh Belotti.