Nga e enjtja, Kylian Mbappé do të stërvitet me bashkëlojtarët e rinj të Real Madridit, të cilët do të kthehen në Spanjë pas turneut amerikan. Vinicius mezi pret të “mësojë frëngjisht”.
Ai pohon se Mbappe “dëshiron të bëjë gjëra të mëdha”. Trofeu i parë për t’u rrëmbyer do të jetë Superkupa e Europës, në finale kundër Atalantës:
“Do të jetë e shkëlqyer të kemi në ekip një lojtar si Mbappe. Shpresoj të bëjmë gjëra të mëdha. Ne duhet të kujdesemi për të dhe të bëjmë gjithçka që është e mundur, në mënyrë që të përshtatet sa më shpejt që të jetë e mundur.
Është gjithmonë e vështirë të arrish në një klub tjetër, por ne e kemi bërë tashmë me Jude, i cili erdhi sezonin e kaluar dhe shkëlqeu. Shpresojmë që ta përsërisim veten me Kylian”.
Përshtatja më e ngadaltë e Endrick: “Ai është shumë i ri, por i gatshëm të na ndihmojë kur kemi nevojë për të”.
Forma e tij: “Jam shumë mirë, ndihem i lumtur që takohem me të gjithë ekipin, stafin dhe njerëzit që punojnë me ne. Është koha të përqendrohemi, sepse ndeshja e parë zyrtare do të jetë një finale. Jemi duke u përgatitur që sezoni i ri të jetë produktiv si i kaluari. Unë stërvitem shumë për të qenë afër nivelit që tregova sezonin e kaluar.
Nuk kemi shumë kohë, një ndeshje e madhe tashmë na pret në datën 14, më pas do të fillojë La Liga. Jemi gati. Dua të fitoj më shumë tituj sesa sezonin e kaluar, të shënoj më shumë gola, të jap më shumë asiste dhe të vazhdoj të rritem, sepse jam vetëm 24 vjeç. Jam këtu prej 6 vitesh, por nuk mund të ngopem me atë që kam fituar”.