Carlo Ancelotti lë i kënaqur turneun në Shtetet e Bashkuara, që Reali i Madridit i drejtuar prej tij e mbylli me fitoren 2-1 në Charlotte të Karolinës së Veriut kundër Chelsea-t të kolegut italian Enzo Maresca, falë golave të Lucas Vasquez dhe Brahim Diaz, duke hedhur sytë tanimë nga takimi i parë i rëndësishëm i sezonit të ri, Superkupa e Europës kundër Atalantës që do të luhet në 14 gusht.
“Kemi luajtur me një ritëm të mirë dhe ide të qarta, por tani mendojmë për Superkupën”,
tha tekniku nga Reggiolo duke shtuar, – “Në 9 gusht, do të nisim të gjithë se bashku të përgatisim ndeshjen me Atalantën, por puna deri tani ka qenë e mirë, me të rinjtë që kanë dhënë kontributin e tij për skuadrën. Për ata ka qenë një eksperiencë e bukur”.
Ancelotti që pret bashkimin e Mbappe me skuadrën, nuk hodhi kundër Chelsea-t të rinjtë Arda Guler dhe Endrick, duke i lënë pushim pas ndeshjes me Barcelonën, një tjetër test i zhvilluar në Shtetet e Bashkuara.
“Preferuam të evitojmë rreziqet pasi gjëja më e rëndësishme është të arrijmë në formë të mirë për ndeshjen e Superkupës.
Lojtarët e tjerë treguan një gjendje të mirë, janë gati për ta përgatitur si duhet ndeshjen me Atalantën. Të shohim si do të kthehen lojtarët e tjerë, shpresoj të jenë në gjendje të mirë nëse kanë punuar mjaftueshëm në shtëpi.
Nëse jo do të qëndrojnë të gjithë në stol”, e mbylli tekniku duke qeshur deklaratën e tij në formë batute..