Aventura e Leny Yoro te Manchester United nisi në mënyrën më të keqe të mundshme.
Mbrojtësi që u transferua te “Djajtë e Kuq” nga Lille për shifrën e 62 milionë eurove, u dëmtua në miqësoren ndaj Arsenal, teksa nuk mundi të shmangte ndërhyrjen kirurgjikale në kavilje. 19-vjeçari, iu nënshtrua këtë të mërkurë ndërhyrjes kirurgjikale, e cila shkoi mirë.
Tashmë, Yoro do të nisë fazën e rikuperimit që në fakt do të jetë disi e gjatë pasi francezi pritet të mungojë për të paktën tre muaj.
Megjithatë, vetë Yoro është gati ta hedhë pas krahëve këtë moment të vështirë dhe në një reagim në rrjetet sociale pas operacionit, premtoi se do të rikthehet më i fortë.
“Nuk është ky fillimi që unë ëndërroja, por ky është futbolli. Për fat operacioni shkoi mirë, ju falenderoj për të gjitha mesazhet.
Tani është koha për të qenë i duruar dhe për të nsur rikuperimin. Do të shihemi së shpejti, do të kthehem më i fortë”, shkruan Yoro në rrjetet sociale.