Partizani nuk ka ndërmend të heqë dorë nga Mustapha Salami.
Nigeriani është një nga “dëshirat” e kryeqytetasve, të cilët e tentuan transferimin e tij që në muajin prill.
Në atë periudhë Kukësi kërkoi 200 mijë euro, shumë kjo që u konsiderua e lartë nga drejtuesit e “Demave”.
Ndërkohë tashmë nevoja për një sulmues krahu ka bërë që të rikthehen sërish te “fiksimi” i vjetër.
Kështu Partizani ofron 100 mijë euro për shërbimet e 22-vjeçarin, i cili shkëlqeu me verilindorët në Superiore. Ofertë kjo që pritet të pranohet nga Kukësi, pasi me paratë e fituara nga shitja e Salamit do të ofrojë të tjerë futbollistë për sezonin e ri.
Ndërkohë nga ana tjetër të kuqtë do të blenin 22-vjeçari nga të ardhurat që do të gjenerojnë nga shitja e Maguette Gueye. Kujtojmë se Salami ka kontratë me Kukësin deri në qershor të vitit 2025 dhe kjo është mundësia e fundit që verilindorët të përfitojnë nga shitja e tij.
Gjithashtu vlen të theksohet se 100 mijë euro ka ofruar edhe ekipi izraelit. Bnei Yehuda po këmbëngul gjithashtu për shëërbimet e Salamit. Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë në ditët e ardhshme.