Partizani vijon përgatitjet nën drejtimin e drejtorit Arbër Abilaliaj dhe Renaldo Kalarit, i vetmi i mbetur nga stafi që drejtoi ekipin në sezonin e shkuar.
Të kuqtë kërkojnë ingranimin e duhur përpara ndeshjes së 18 gushtit me Vllazninë dhe për të arritur këtë qëllim kanë programuar një miqësore kundër Apolonisë, që do të luhet nesër në Arenën e Demave” në orën 18:30.
Sakaq, vijon të jetë e njëjtë situata e dëmtimeve. Marçelino Preka pritet të jetë edhe të paktën dy javë jashtë, çka do të thotë se bashkë me Taipin, ai nuk do të jetë në gjendje të luajë në ndeshjen hapëse të Kategorisë Superiore kundër Vllaznisë.
Mbrojtësi ka pësuar një dëmtim muskulor, që vjen pas shumë të tjerëve në këto dy sezone te Partizani. Shkodrani vijon të mos gjejë stabilitet sa i përket aspektit fizik dhe kjo e ka penguar të zërë rregullisht një fanellë titullari.