Mesfushori 29 - vjeçar Valon Ahmedi pasi zyrtarizoi kontratën 2 vjeçare me Shkëndijen e Tetovës, ka folur me optimizëm për periudhën që pason. Ahmedi beson se Shkëndija do të kthehet në rrugën e lavdisë, titujt sërisht do të karakterizojnë klubin, derisa ai personalisht ndjenë një peng nga detyra e lënë në gjys pak më shumë se tre vite më parë kur u transferua në Bjellorusi ku do të fitonte 4 trofe (2 kampionate dhe 2 Super Kupa).
“Të them të drejtën jam shumë i lumtur për rikthimin pas 3 vite e gjysmë, pas një aventure në Bjellorusi, shumë të suksesshme mund të them, me trofe të fituar. Por për momentin zgjodha që të rikthehem në Shkëndijë, në klubin dhe ngjyrat që na përfaqësojnë të gjithë neve shqiptarëve të Maqedonisë dhe anembanë. Kthehem i motivuar, jam sërish në vendlindje, pranë familjes dhe do të jap maksimumin që ta ndihmoj ekipin në realizimin e qëllimeve. Kështu që jam tepër i lumtur që jam këtu”, tha Ahmedi.
Pritjet?
“Në radhë të parë dua të falënderoj pronarin, kryesinë, bordin për interesimin që kanë treguar dhe profesionalizmin e tyre për këtë rikthim që e donim dy palët. Jam shumë i lumtur për këtë fakt, pasi nëse krahasojmë herën e parë kur isha këtu më mbeti një dëshirë e pa plotësuar, pasi ishte pandemia me COVID-19 dhe nuk munda të luaj para tifozerisë së zjartë tetovare, në veçanti “Ballistëve”.
Kështu që mezi pres të nis punën me grupin, mezi pres të dal në fushë. Normal, dihet se për çka kam ardhur këtu, për të fituar tituj, të dalim kampion, të fitojmë Kupën dhe sigurisht përveç performansave dinjitoze në Evropë, duam të realizojmë ëndrrën e çdo tetovari, ëndrrën e “Ballistëve” dhe dashamirëve të Shkëndijës, të kapim grupet në Kupat e Evropës. Një klub si Shkëndija besoj se e meriton plotësisht këtë gjë”, tha ai.
“Mund të them se atëherë isha më i ri, tani jam më i pjekur, kam fituar më shumë eksperiencë. Gjithë këto vite Zoti më ka mundësuar të luaj çdoherë jashtë. Edhe atëherë ishte hera e parë që kthehem në vendin tonë dhe pastaj situata ishte e tillë, na kapi pandemia me COVID-19 dhe nuk shkuan gjërat si doja.
Megjithatë mund të them se ishte vit i suksesshëm sepse luajtëm mirë në Europa League dhe sollëm bashkarisht edhe Totenhemin në Shkup, që besoj se ishte një arritje e mirë për Shkëndijën.
Por nga vetja si që thash edhe më parë nuk isha shumë i kënaqur, mbeti një dëshirë e paplotësuar, pasi mendoj se mund të jap për këtë klub më shumë se sa që kam dhënë.
Kjo më shtynë më tepër dhe jam super i motivuar. Besoj t’ju ndihmoj edhe më të rinjve, sepse edhe mosha tani ma lejon, me eksperiencën që kam.
Besoj bashkë me stafin teknik të jemi sa më pozitiv dhe të jemi pas motos që e kam gjithmonë si referim, ‘një për të gjithë, gjithë për një’. Vetëm ashtu mund të arrijmë qëllimet dhe të dalim kampion. Ta dëshmojmë veten në fushë, pastaj le të na gjykojnë sipas asaj që do japim në fushë. Premtoj se do të jap më të mirën nga vetja për të arritur qëllimet e klubit dhe në fund të gjithë të jemi të kënaqur”, ka përfunduar futbollistin.