Është një Inter që po punon për të tashmen dhe një tjetër për të ardhmen.
Nga njëra anë goditjet Taremi dhe Zielinski dhe nga ana tjetër 3 blerje që premtojnë se do të shpërthejnë në një të ardhme të afërt. I fundit është fantazisti Tiago Romano, i cili është bashkuar zyrtarisht me zikaltrit pas Aleks Perezit dhe Luka Topaloviç.
Drejtori sportiv Auzilio bashkë me zëvendësin e tij Baçin janë duke siguruar kështu disa nga talentet e të ardhmes duke zbatuar idenë e pronarëve të rinj “Oaktree” për të investuar edhe tek talentet. Dhe nuk ka përfunduar këtu sepse në listë janë 2 të tjerë: Karim Konate dhe Xhovani Leoni, 17-vjeçari i Sampdorias.
Tiago Romano vjen nga skuadra e Panathinaikosit, por fillimisht do t’i bashkohet skuadrës së të rinjve. Është argjentinas i rritur në Greqi dhe luan me kombëtaren U-20 të Argjentinës. Është një lojtar krahu në të majtë, por mund të mbulojë të gjithë zonën pas sulmuesit.